Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit, duke shkaktuar shqetësim të madh për banorët e zonës. Flakët janë përhapur që prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm dhe po përfshijnë një pjesë të madhe të territorit të landfillit. Pavarësisht masave të sigurisë të vendosura në zonë, dyshimet janë se zjarri mund të ketë shkaktuar edhe nga një zjarrvënie e qëllimshme.
Shtëllungat e tymit të dendur dhe era e keqe që ka përfshirë zonën kanë bërë që lagjet periferike të qytetit të Elbasanit të përballen me një rrezik të madh për shëndetin. Tymrat e dëmshëm, të shkaktuara nga djegia e mbetjeve, mund të shkaktojnë probleme të rënda me frymëmarrjen dhe të ndikojnë negativisht në shëndetin e banorëve, sidomos të atyre me sëmundje të mushkërive apo probleme kardiovaskulare.
Ekipet e zjarrfikësve janë angazhuar në përpjekje për të shuar flakët, por deri tani nuk ka informacion të saktë për shkakun e këtij zjarri. Ky është incidenti i tretë i këtij lloji që ndodh në landfillin e Elbasanit gjatë dy viteve të fundit, duke ngritur pyetje rreth kushteve të sigurisë dhe menaxhimit të mbetjeve në këtë zonë.