Një zjarr me përmasa të mëdha është regjistruar pasditen e sotme në Lagjen e Spitalit, në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar alarm te banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në një grumbull mbeturinash dhe, të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, janë përhapur me shpejtësi drejt banesave përreth.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat arritën të izolojnë vatrën e zjarrit dhe të shmangin përhapjen e flakëve në objektet e banuara.
Operacioni për shuarjen e zjarrit u vështirësua nga temperaturat që arritën deri në 40 gradë Celsius, si edhe nga era, por pas disa orësh puna situata u vu plotësisht nën kontroll.
Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa po verifikohet nëse ngjarja ka qenë e qëllimshme apo është shkaktuar nga pakujdesia ose rrethana aksidentale.
