Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një biznes në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Flakët raportohet se janë përhapur shpejt duke shkaktuar një situatë alarmante dhe ndotje të konsiderueshme në të gjithë zonën, pasi nga vendi i ngjarjes ngrihen shtëllunga të dendura tymi.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur të gjitha automjetet dhe efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë angazhuar në operacionin për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me synim parandalimin e përhapjes së tyre në objektet përreth.

Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar apo për shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit. Autoritetet po punojnë në kushte të vështira për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa pritet një vlerësim i dëmeve materiale sapo flakët të neutralizohen plotësisht. Ndërkohë, banorëve dhe qytetarëve që ndodhen pranë zonës u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe ekspozimin ndaj tymit të dendur, deri në normalizimin e situatës.