Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme një sipërfaqe në fushën e Lazaratit, duke alarmuar banorët e zonës.

Shërbimi zjarrfikës është njoftuar rreth orës 20:36, pas një telefonate të bërë nga një qytetar. Menjëherë pas sinjalizimit, në drejtim të vendngjarjes janë nisur ekipet e Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër.

Me mbërritjen në terren, zjarrfikësit kanë konstatuar se flakët ishin përhapur dhe kërkohej ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur përhapjen e zjarrit në zona të tjera.

Për shuarjen e flakëve janë angazhuar tre grupe zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për izolimin e vatrës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë, zjarri është izoluar dhe vënë nën kontroll, ndërsa në orën 21:50 është bërë i mundur shuarja e plotë e tij.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve ka parandaluar përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera.