Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pranë tunelit, duke krijuar shqetësim për shkak të afërsisë me zonat e banuara dhe turistike.
Flakët kanë përfshirë një kabinë të ujësjellësit, e cila shërben për shpërndarjen e ujit në këtë zonë. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në pjesën kodrinore dhe më pas është përhapur në drejtim të kabinës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Situata paraqet rrezik për përhapjen e mëtejshme të zjarrit, pasi zona është e banuar dhe frekuentohet nga turistë. Pranë vatrës ndodhen edhe hotele dhe objekte të tjera.
Zjarrfikësit vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll të situatës, ndërsa ende nuk janë përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.
