Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fshatin Kujtime, në lagjen Grkaj, në Njësinë Administrative Kurdar, në Bashkinë Klos.

Flakët janë shfaqur fillimisht në disa sipërfaqe me barishte, por më pas janë përhapur me shpejtësi, duke dalë jashtë kontrollit. Si pasojë janë djegur disa mullare me bar dhe pemë frutore, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe një zonë pyjore pranë fshatit.

Situata paraqitet shqetësuese pasi flakët po avancojnë në drejtim të banesave, duke rritur rrezikun për pronat dhe banorët e zonës.

Në vendngjarje janë angazhuar punonjës të Bashkisë Klos, forcat zjarrfikëse, banorë të zonës dhe shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën.

Banorët kanë kërkuar shtimin e forcave në terren, pasi zjarri vijon të përhapet dhe rreziku për banesat mbetet i lartë.

Ndërkohë, paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht. Policia ka nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.