Një vatër zjarri me përmasa të mëdha është regjistruar në orët e vona të së dielës në afërsi të fshatit Sojnik, Njësia Administrative Kukur, pjesë e Bashkisë Gramsh.

Sipas raportimeve nga banorët, zjarri ka përfshirë një masiv pyjor të dendur, duke e bërë ndërhyrjen nga toka pothuajse të pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor. Për më tepër, erërat e forta dhe thatësira e ditëve të fundit po ndihmojnë përhapjen e flakëve me shpejtësi.

Autoritetet lokale janë në dijeni të situatës dhe kanë ngritur alarmin për rrezik të përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara. Ndërhyrja nga ajri është parashikuar si mundësia më efektive për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa strukturat vendore u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin qëndrimin pranë zonave të rrezikuara.