Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe të konsiderueshme të një kopshti në fshatin Kordhocë të Gjirokastrës, duke rrezikuar edhe dy banesa pranë zonës së prekur.

Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) Gjirokastër, njoftimi për zjarrin është marrë rreth orës 14:55, ndërsa menjëherë në vendngjarje janë nisur forcat zjarrfikëse.

Me mbërritjen në terren, efektivët konstatuan se flakët kishin përfshirë një pjesë të madhe të kopshtit dhe po përparonin drejt dy banesave, duke krijuar rrezik për përhapjen e zjarrit.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, u bë i mundur izolimi dhe shuarja e flakëve, duke parandaluar dëmtimin e banesave dhe përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.