Pakujdesia
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë masivin pyjor të pishave në fshatin Gjorgos të Komunës Cakran në Fier. Zjarri është diktuar rreth orës 14.00 të pasdites së premte, kur fillimisht flakët kanë përfshirë një pjesë të pishave që ndodhen në afërsi të aksit rrugor Fier-Ballsh. Banorët e lagjes kanë diktuar zjarrin dhe i janë drejtuar për ndihmë repartit të zjarrfikëseve në Fier. Këta të fundit kanë mbërritur në vendngjarje. Por, për shkak të terrenit të thyer malor, nuk kanë arritur të futin automjetet në zonën e përfshirë nga flakët. Për shkak edhe të erës, zjarri ka përfshirë më pas një pjesë të kodrës ku ndodheshin pemë frutore, kryesisht ullinj. Me mjete rrethanore dhe me ndihmë të banorëve, punonjës të repartit të zjarrfikësve kanë arritur të lokalizojnë dhe më pas të shuajnë vatrën e zjarrit. Pas bilancit të dëmeve të shkaktuara ka rezultuar se është djegur një sipërfaqe prej 6 ha me pisha, si dhe rreth 100 rrënjë ullinj, pronë e familjeve të kësaj lagjeje.