Një vatër e madhe zjarri është regjistruar këtë të shtunë në zonën e Karaburun, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.

Sipas pamjeve nga zona, re të dendura tymi janë përhapur përgjatë vijës bregdetare, duke tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe banorëve të zonës. Tymi është bërë i dukshëm edhe nga deti, ndërsa flakët po avancojnë në shpatet e Karaburunit.

Deri tani nuk ka një informacion zyrtar mbi sipërfaqen e përfshirë nga zjarri apo mbi shkaqet e shpërthimit të flakëve.

Autoritetet pritet të japin detaje shtesë lidhur me situatën dhe ndërhyrjen për izolimin e zjarrit.