Një apartament në katin e 8 të një pallati është përfshirë nga flakët rreth orës 01:00 të mëngjesit të kësaj të marte. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë.

Nga informacionet paraprake mësohet se, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamentet përreth. Operacioni ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë së katit ku ra zjarri.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë kanë qenë të konsiderueshme.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.