Një zjarr ka shpërthyer gjatë orëve të mesditës në një godinë në ndërtim, në Muzeun Nënujor, duke shkaktuar panik te banorët dhe bizneset përreth.
Zjarri ka shpërthyer në katet nën tokë të ish-maternitetit të qytetit, një objekt që po rikonstruktohet për t’u shndërruar në Muzeun e Botës Nënujore. Dyshohet se flakët kanë nisur nga materialet e polisterolit që po përdoren në punimet e ndërtimit.
Tymi i dendur dhe i zi është përhapur shpejt, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe rrezik për sigurinë e ndërtesave përreth. Menjëherë pas alarmit, kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi dhe kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll. Zjarri është fikur plotësisht, dhe për fat të mirë, nuk raportohet për persona të lënduar. Autoritetet po hetojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

