Një zjarr ka rënë në nënstacionin elektrik të Draçinit në Shkodër.
Flakët kanë përfshirë dhe dy nënstacione të tjera, duke lënë pa energji një pjesë të qytetit. Në zonë duken shtëllunga të mëdha tymi, ndërkohë që zjarrfikëset po punojnë për shuarjen e flakëve. Paraprakisht, dyshohet se një defekt mund të jetë bërë shkak për zjarrin, ndërkohë që pritet hetimi.
Grupet e riparimit po punojnë për rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, dyshohet se për shkak të shkëndijës elektrike ka rënë zjarr në kabinën elektrike të një pallati në rrugën “Vëllezërit Frashëri”. Shkëndija në kabinë ka shkaktuar masë elektrike në nënstacionin elektrik në vendin e quajtur “Draçin”. Si pasojë, në nënstacion është ndezur zjarr dhe përhapja e flakëve ka shkaktuar zjarr dhe në magazinën në pronësi të shtetases R. L., 34 vjeçe, objekt që ndodhet në afërsi të nënstacionit. Nga zjarret ka vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë po bashkëpunojnë me zjarrfikësit, për të mundësuar shuarjen e zjarreve. Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, po heton për të dokumentuar shkaqet e këtyre rasteve.