Disa autobusë në pronësi të forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë greke janë përfshirë nga flakët pasditen e së hënës, në zonën e Gudhit, në Athinë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka nisur në motorin e njërit prej autobusëve, i cili sapo ishte kthyer nga shërbimi dhe po parkohej së bashku me automjetet e tjera. Flakët janë përhapur më pas edhe te autobusët pranë tij, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Policia greke ka bërë të ditur se në momentin e rënies së zjarrit autobusët ishin bosh, ndaj nuk raportohet për persona të rrezikuar apo të lënduar.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe zjarrfikësish, të cilët po punojnë për neutralizimin e flakëve.

Mësohet se autobusët e dëmtuar ishin mjete të vjetra, por vijonin të ishin në funksion. Ndërkohë, policia greke ka porositur 60 autobusë të rinj për rinovimin e flotës së saj.