Kurora e gjelbër e qytetit të Pukës është rrezikuar seriozisht mëngjesin e kësaj të marte, pasi një vatër zjarri përfshiu zonën përreth qytetit.
Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës të Pukës, e mbështetur edhe nga banorët e lagjes Laçaj, bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre dhe marrjen e përmasave më të mëdha.
Kurora e gjelbër e Pukës, e karakterizuar kryesisht nga drurët e pishës, është konsideruar ndër vite një nga pasuritë natyrore më të çmuara të qytetit. Banorët e Pukës kanë kontribuar vazhdimisht në mbrojtjen e kësaj hapësire nga zjarret.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një zjarr kërcënon seriozisht hapësirën prej qindra hektarësh që shtrihet përreth qytetit të Pukës.
Ndërkohë, policia ka ngritur një grup hetimor për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar nëse zjarri është shkaktuar qëllimisht, si dhe për të identifikuar autorët.

