Një vatër zjarri ka shpërthyer në zonën me kallamishte pranë plazhit të Tales, në Lezhë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi përgjatë vijës bregdetare, duke djegur një hapësirë që vlerësohet të shtrihet nga rreth 500 metra deri në afro 1 kilometër. Forcat zjarrfikëse të Lezhës kanë ndërhyrë në terren, por po hasin vështirësi në shuarjen e zjarrit për shkak të terrenit të papërshtatshëm.
Prania e kënetave mes plazhit dhe vatrës së zjarrit pengon afrimin e mjeteve zjarrfikëse, duke e bërë ndërhyrjen më të ndërlikuar. Në afërsi të zonës së prekur ndodhen edhe disa struktura turistike dhe shërbimi. Për këtë arsye, ekipet zjarrfikëse janë vendosur në gatishmëri pranë tyre, për të ndërhyrë menjëherë në rast se flakët rrezikojnë objektet.
