Një vatër zjarri është evidentuar mbrëmjen e sotme pranë Fushës së Aviacionit në Gjirokastër.

Ngjarja është raportuar rreth orës 20:15, ndërsa menjëherë drejt zonës është nisur një automjet zjarrfikës, së bashku me efektivët përkatës.

Me mbërritjen në vendngjarje, zjarrfikësit kanë konstatuar se flakët kishin përfshirë një kanal që ndodhej mes Fushës së Aviacionit dhe një parcele bujqësore. Zjarri po përhapej, por ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të tij.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk janë raportuar dëme materiale në pasuritë apo ambientet përreth.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se vatra mund të jetë shkaktuar qëllimisht.