Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit e shpërthyer pasditen e djeshme pranë piramidës kufitare nr. 12, në territorin e Bashkisë Kolonjë, në kufi me Greqinë.

Në terren janë angazhuar rreth 40 forca nga shërbimet e MZSH-së, bashkia Kolonjë, policia dhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve. Ndërhyrja paraqet vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer dhe rrezikut që sjell prezenca e minave në këtë zonë kufitare.

Sipas Prefekturës së Korçës, deri tani zjarri nuk ka depërtuar në Parkun Natyror të Gërmenjit. Janë kryer komunikimet e nevojshme me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe me palën greke, për mobilizimin e strukturave përgjegjëse në të dy anët e kufirit. Forcat mbeten në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm për koordinimin e operacionit në terren.