Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Drizës në Fier, duke mobilizuar forca të shumta zjarrfikëse, policore dhe mjete ajrore në operacionin për shuarjen e flakëve.
Vatra e zjarrit ka nisur fillimisht pranë zonës së njohur si “Azotiku”, në fshatin Drizë, dhe më pas është përhapur drejt Qafës së Koshovicës, duke rrezikuar sipërfaqe të gjera pyjore në afërsi të disa fshatrave të zonës, përfshirë Peshtanin e Madh, Peshtanin e Vogël dhe Plyg.
Në terren po operojnë forcat zjarrfikëse, dhjetëra efektivë policie dhe helikopterë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa është vendosur në gatishmëri edhe shërbimi i urgjencës mjekësore për çdo situatë emergjente.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe erërave të forta, autoritetet kanë evakuuar 11 familje nga banesat e tyre, ndërsa policia vijon monitorimin e zonës për të shmangur rrezikun ndaj banorëve të tjerë.
Policia Rrugore ka bllokuar gjithashtu qarkullimin në segmentin Qafa e Koshovicës – Cakran në të dy drejtimet, për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve të emergjencës dhe ndërhyrjen në terren të vështirë.
Autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo raste asfiksie, ndërsa është bërë e mundur edhe shuarja e një banese të përfshirë nga flakët, me dëme të kufizuara materiale.
Në operacion janë angazhuar edhe forcat “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, Forca Kombëtare e Sigurisë – Njësia Fier, si dhe drejtues të policisë vendore, të cilët po koordinojnë ndërhyrjen në terren.
Ndërkohë, specialistët e hetimit kanë shoqëruar dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarrit, ndërsa Prokuroria ka nisur veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Operacioni për shuarjen e flakëve vijon intensivisht si nga toka ashtu edhe nga ajri, me synimin për izolimin total të zjarrit në orët në vijim.
