Në bashkinë Gjirokastër janë shënuar 4 vatra aktive zjarri zonën malore të fshatit Zhulat. Me dhjetëra hektarë janë shkrumbuar ndërsa mësohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe në polici janë shoqëruar disa persona. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është e pamundur për shkak te terrenit të thepisur malor.


Sakaq vijojnë të jetë aktive vatra e zjarrit në malin e Koshnicës në Gramsh. Zjarri ndodhet pranë fshatit Siman të Gramshit, i cili u shfaq qysh dje. Nga flakët janë shkrumbuar pisha dhe një numër i madh pemësh.


Terreni i vështirë malor ka pamundësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, ndërsa punonjësit e saj kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore. Është ende i paqartë shkaku që ka sjellë flakët në këtë zonë, ndërkohë që ato kanë qenë të favorizuara edhe nga temperaturat e larta. Situata, sipas Ora News, paraqitet edhe më serioze. Zjarri është ende i pranishëm ndërsa drejtues të zjarrfikëses nuk dinë të thonë me siguri sa është sipërfaqja e djegur, por pohojnë se është e konsiderueshme. Drejtuesi i repartit të Zjarrfikësve,  Ilir Llapushi e konsideron situatën serioze dhe ka kërkuar ndërhyrjen e mjeteve nga ajri.



Në Mirditë në zonën e Lezhës dhe të Shkodrës, si dhe në Fier ka pasur rënie të zjarreve. Që prej ditës së djeshme banorët e Topojës shohin të pa shpresë se si digjen sipërfaqe të tëra të pyllit të Semanit. Këtë zonë të jashtëzakonshme turistike të bashkisë Fier, përveçse e kanë lënë totalisht në harresë pa investime dhe promovim, tani duket se po e djegin me dashje.


Reagim i presidentit


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sipas Presidencës, është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrave të zjarreve në disa qarqe të vendit.


“Presidenti Meta nxit autoritetet qendrore dhe  vendore për koordinimin në kohë dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private. Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, Presidenti Meta tërheq veçanërisht vëmendjen për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve”, thuhet në reagimin e Presidencës.