Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X për situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtrisë dhe policisë në përballimin e flakëve.

Rama thekson se, pavarësisht erës së fortë dhe pamundësisë për të ndërhyrë nga ajri gjatë natës, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në njerëz.

Sipas kryeministrit, bilanci i ngjarjes është vetëm një magazinë e shkrumbuar dhe asnjë banor i dëmtuar.

“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik, siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese”, shkruan Rama.

Kryeministri shprehu gjithashtu respekt dhe mirënjohje për forcat që po përballen me zjarret gjatë këtij gushti, duke theksuar se banorët e Krujës nuk kanë qenë vetëm në orët e vështira të natës.

“Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetëm në orët e tyre tejet të vështira”, shkruan ai.

Në vijim, Rama ka publikuar edhe mesazhin e një banori të Krujës, i cili gjatë orëve të natës kishte kërkuar ndërhyrje dhe përforcime për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit nga era.

“Zoti Kryeministër! Ju lutem zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ia shpërbleftë… por era po e përhap me shumë shpejtësi. Nëse është e mundur për përforcime të tjera… shteti është në këmbë i tëri 🙏”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.