Terreni i vështirë, shuarja vetëm me misione fluturimi
Ministria e Brendshme, në negociata për të marrë me qira mjetet për ndihmën e shpejtë
Zjarret në malin e Dajtit janë pa autor, kanë rënë në terrene të vështira dhe ndërhyrja për shuarjen e tyre mund të bëhet vetëm nga ajri. Prej 3 ditësh zjarri që përparon në këtë faqe mali ka djegur mbi 10 hektarë pyje. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme kanë deklaruar dje se janë në diskutime për të marrë me qira helikopterë të cilët të vendosen në dispozicion për shuarjen e zjarrit. Misionet e fluturimit në këtë terren të vështirë janë e vetmja zgjidhje për flakët që kanë pushtuar hektarë të tërë pyll.
Kujtim Qefalia, kryetari i Komunës Dajt deklaroi se kjo situatë ka qenë e tillë para disa viteve dhe është ndërhyrë me helikopterë, duke kërkuar nga qeveria marrjen e masave të menjëhershme.
Banorët e zonës kanë deklaruar se shtëpitë e tyre janë para një rreziku shumë të madh, ndërkohë që menjëherë pas alarmit për banesat e tyre, të gjithë duhet të shqetësohemi për parkun kombëtar të Dajtit si një nga pasuritë më me vlerë natyrore.
Ndërsa autoritetet ende nuk e kanë zgjidhur dhe nuk bien dakord njëzëri nëse parku natyror rrezikon apo jo, nëse zjarri është vënë nga dora e njeriut apo ka rënë për shkak të shkreptimës të regjistruar në fundjavë, banorët protestojnë dhe kërkojnë siguri për shtëpitë e tyre. Sipas ekspertëve të emergjencave mendohet se zjarri ka si shkak dorën e njeriut, por prej katër ditësh nuk ka asnjë person të ndaluar.
Ndërkohë që specialistë të tjerë thonë se zjarri nuk mund të jetë vënë nga njeriu për shkak se terreni nuk është i kalueshëm dhe në faqen e malit të quajtur “Shkëmbi i qytezës” nuk ka barinj.
Drejtori i përgjithshëm i zjarrfikëseve në Ministrinë e Brendshme, Dilaver Laçi, ka deklaruar dje se zjarri nuk rrezikon Parkun Kombëtar të Dajtit. Sipas tij po bëhen përpjekje për të marrë me qira helikopterë që mund të fikin zjarrin nga ajri duke qenë se terreni është i vështirë.
Në ditët e para të rënies së zjarrit kryetari i Komunës Dajt, Kujtim Qefalia, deklaroi se zjarri në malin e fshatit Priskë po rrezikon Parkun Kombëtar të Dajtit.
Autoritetet e Ministrisë së Brendshme sqaruan se përpjekjet për ta mbajtur zjarrin nën kontroll dhe për të mos e lënë të shpërndahet më tej vazhdojnë të jenë maksimale.
Duke nisur nga dita e diel dhe deri dje, në Komunën e Dajtit kanë qenë të të pranishme forcat zjarrfikëse dhe forca ushtarake si shërbimi pyjor, të cilët po mundohen të lokalizojnë zjarrin, ndonëse faqja e malit është shumë e thepisur.
Dy ditë më parë Lutfi Miftari, shef i Parkut Kombëtar të Dajtit, deklaroi se: “Kemi marrë masat për izolimin e vatrave. Me mjetet tona jemi munduar të bëjmë maksimumin. Na kanë ndihmuar rreth 50 forca të ushtrisë gjithashtu”. Sipas tij, zjarri është favorizuar nga era e fuqishme që ka nisur që në datën 13 e gjithashtu edhe terreni malor që e bën pothuajse të pamundur ndërhyrjen për shuarjen e flakëve. Specialistët mendojnë se zjarret janë vënë në mënyrë të qëllimtë, ndaj është shumë e rëndësishme që të merren të gjitha masat ndëshkimore ndaj autorëve, pasi dëmi ekonomik dhe ambiental është shumë i madh. Lorina Mixha
Izolimi
Prej dy ditësh, zjarri ka përfshirë një pjesë të malit të Priskës, në zonën e Parkut Kombëtar të Dajtit. Flakët kanë pushtuar një sipërfaqe prej katër hektarësh, ndërkohë që personeli i Emergjencave Civile po punon për izolimin e tij.
Parku Kombëtar i Dajtit
Shtrihet në vargjet malore të Skënderbeut, kryesisht në Qarkun e Tiranës, me një sipërfaqe prej 23.374 ha. Ai shtrihet në një terren tërësisht malor, duke nisur nga lartësia 300 metra dhe duke arritur majën më të lartë, majën e Micekut të Shën Mërisë me një lartësi prej rreth 1827 metrash.