Situata e zjarreve në vend vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet. Deri në orën 20:00 të mbrëmjes së 29 gushtit janë raportuar 16 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera ndodhen nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në zonën e Qafë-Priskës, në Dajt, zjarri ka shfaqur riaktivizime. Në operacion janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.

Vatra aktive vijon të jetë edhe në Vajkal të Bulqizës, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Në terren ndodhen 31 forca vendore dhe vullnetare, 30 efektivë të FA-së, si dhe një helikopter.

Ndërkohë, në Sllatinë të Dibrës zjarri vijon në një sipërfaqe pyjore. Në operacion janë angazhuar 78 forca dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë të Helmës, në Bulqizë, situata po monitorohet, ndërsa zjarri në Kroi i Madh, në Krujë, është drejt normalizimit dhe shuarjes së plotë.

Nën mbikëqyrje vijojnë edhe vatrat në malin e Dardhës në Librazhd dhe malin e Qukësit në Prrenjas. Autoritetet bëjnë me dije se as këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ndërkaq, zjarret në Komsi të Matit dhe Delisuf të Vlorës janë shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Ekipet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku mund të ketë riaktivizim të flakëve.