Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin më të fundit për situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 09:00 janë evidentuar 31 vatra në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Nga këto, pesë vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën monitorimin e strukturave operacionale. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 319 forca dhe 24 mjete zjarrfikëse, së bashku me 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatra që paraqet më shumë vështirësi ndodhet në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës. Flakët vijojnë të jenë aktive, ndërsa në operacion janë angazhuar 15 forca zjarrfikëse, nëntë efektivë të AdZM dhe 20 ushtarakë. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Dibër, situata vijon të jetë problematike në Vajkal, Lundre dhe Ballenjë. Zjarri në Sllatinë është izoluar dhe po mbahet nën vëzhgim. Në Vajkal po ndërhyjnë 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Lundre pritet të angazhohen edhe 20 ushtarakë.

Po në Dibër, dy vatra mbeten aktive në zonën Bershi–Kurdari–Patinë, në bashkinë Klos, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth katër hektarësh.

Në qarkun Korçë, zjarri në zonën e “Qafës së Lugut”, në Vithkuq, raportohet nën kontroll dhe vijon monitorimi. Edhe në Elbasan, ku vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë ende nën mbikëqyrje, nuk raportohet rrezik për banorët.

Ndërkohë, zjarri në fshatin Zallë të Fushë-Krujës është shuar plotësisht. Vatra ishte vënë nën kontroll një ditë më parë, ndërsa ndërhyrja e strukturave vendore dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura bëri të mundur neutralizimin e saj.

Autoritetet njoftojnë se edhe vatra të tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit në qarqet Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë shuar ose nuk paraqesin më rrezik. Megjithatë, monitorimi i zonave vijon për shkak të temperaturave dhe kushteve të favorshme për përhapjen e zjarreve.