Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se gjatë kësaj të diele janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, ndërsa pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, por ndodhen nën kontroll.

Sipas njoftimit, strukturat operacionale po vijojnë punën në terren për shuarjen përfundimtare të flakëve në zonat më problematike, mes tyre Hajdaraj/Synej në Kavajë, Drizë–Peshtan në Fier, Tale në Lezhë, Ulën në Elbasan dhe Divjakë.

Në operacionet për përballimin e zjarreve janë angazhuar 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, 30 efektivë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si edhe efektivë të Policia e Shtetit, Forca Kombëtare e Sigurisë, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe ekipeve shëndetësore.

Agjencia ka shprehur mirënjohje për pilotët dhe ekuipazhet e helikopterëve të Forcave të Armatosura, si dhe për efektivët e angazhuar në terren, të cilët kanë operuar në kushte të vështira për të kufizuar përhapjen e flakëve.

Falënderime janë adresuar edhe për shërbimet zjarrfikëse të bashkive Fier, Kavajë, Lezhë, Kurbin, Elbasan, Divjakë, Rrogozhinë, Lushnjë, Durrës dhe Kamëz, të cilat, në bashkëpunim me institucionet e tjera, kanë marrë pjesë në operacionet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.