30 vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në territorin e Shqipërisë, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas përmbledhjes së situatës së emergjencave.
Nga bilanci i raportuar, 10 vatra zjarri janë aktualisht nën mbikëqyrje, ndërsa 13 janë shuar plotësisht pas ndërhyrjes së forcave operacionale.
Në terren janë angazhuar 404 forca vendore dhe lokale, të mbështetura nga 21 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura, të cilat kanë kontribuar me 133 efektivë, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete dhe një autoambulancë.
Në Qarkun e Tiranës, vatra më problematike vijon të jetë ajo në Malin e Dajtit, ku puna për izolimin dhe kontrollin e flakëve ka vazhduar gjatë gjithë ditës. Në operacion janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura me 6 mjete dhe një autoambulancë.
Sipas autoriteteve, zjarri në Malin e Dajtit nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën monitorim nga ekipet në terren.
Situata e zjarreve mbetet nën monitorim, ndërsa forcat operacionale vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Top Channel
