Fiks Fare vijoi të denoncojë situatën e paralajmëruar të zjarreve gjatë verës në Shqipëri, ku qindra kilometra katrorë janë djegur nga jugu në veri.
Emisioni investigativ solli dëshmi të tjera nga fshatrat e Gramshit, të banorëve që iu mbijetuan flakëve, por humbën të gjithë pasurinë.
Ndërkohë, një grup tjetër i Fiksit, udhëtoi edhe në zonën e Delvinës, e cila ishte një nga më të prekurat. Bilanci ishte katastrofal për pronat, por fatmirësisht pa humbje jete. Bilanci i dëmeve është mbi 60 km² tokë e shkatërruar. E gjithë periferia e Delvinës është shkrumbuar. Pyje të rrafshuara. Ullinj dhe pemë frutore të djegura.
Fiksi udhëtoi edhe në disa fshatra të Delvinës. Zjarri ka shkrumbuar një pjesë të madhe të fshatit Senicë. Mijëra rrënjë me ullinj, shekullorë por edhe të rinj, pemë frutorë apo vreshta, u shkrumbuan. Llambi Nika, kryeplak i fshatit Senicë, tregoi se terreni ishte shumë i vështirë dhe flakët përhapeshin me shpejtësi. “Ne këtu morëm gjithçka mundëm. Fatmirësisht s’kishte humbje jete, por dëme të mëdha. Janë djegur disa shtëpi të braktisura. Zjarri dogji edhe kishën shekullore” pohon ai.
Fiksi shkoi edhe në fshatin Kopaçëz. Sërish plantacione me pemë frutore të djegura. Ullinj të shkrumbuar. Fatmirësisht, banesat e fshatit, nuk u dogjën!
Por, a ka kapacitete pushteti vendor që të përballojë zjarret?!
Prej gati 10 vitesh, flota e zjarrfikëseve i ka kaluar bashkive, të cilat duhet t’a plotësojnë me personal dhe me mjete. Fiksi shkoi në Stacionin Zjarrfikës të Delvinës. Ky stacion operon me një mjet të vjetër zjarrfikës të viteve ’60 si dhe një mjet të vitit ’90. Shefi i zjarrfikëseve tregon se s’ka përjetuar ndonjëherë një zjarr me ato përmasa dhe se ata bënë të pamundurën për të minimizuar dëmet. Fiksi e pyeti nëse stacioni i përballon situatat e zjarreve, ndërsa thotë se mjeti më i vjetër, ai i viteve ’60 është më efektiv në male.
“Shyqyr që e kemi dhe e mirëmbajmë. Mban më shumë ujë dhe është më fleksibël për kodra” tregon ai. Më tej shton se mjeti i viteve ‘90 është blerë vitin e kaluar, por s’mban shumë ujë. “Patjetër që duhen mjete të reja, ndonjë mjet 4X4 për ndihmë të parë” thotë ai.
Situata e paralajmëruar, asnjë s’mori masa për flotën!
Zjarret e verës së vitit 2025 dogjën rreth 2 % të sipërfaqes së përgjithshme të Shqipërisë. Një ndër shkaqet ka qenë vonesa në ndërhyrjen e parë apo edhe nga ajri. Fiks Fare e ka paralajmëruar disa herë degradimin e flotës së zjarrfikëseve.
Në një vëzhgim që bëri Fiksi në vitin 2024, rezultoi se në pjesën më të madhe të stacioneve kishte mjete të vjetra, duke filluar nga viti ’60-’70, të amortizuara dhe godina të shkatërruara. Dhjetëra mjete ishin në servise, ndërkohë që të tjerë kishin depozitat e ujit të çara. Por, krahas flotës, alarmante ishin edhe stacionet. Të pa rikonstruktuara, me lagështi, orendi të vjetra apo edhe të çara, duke rrezikuar edhe jetët e personelit.
A janë rregulluar stacionet dhe mjetet gjatë 12 muajve të fundit?!
Gjatë situatës së zjarreve, u premtua nga qeveria se do të blihen dy aeroplanë zjarrfikës, të cilët tashmë janë në prodhim. Nga një vëzhgim i Fiks Fare në Agjencinë e Prokurimit Publik, ende nuk është hapur ndonjë tender për të blerë avionë.
Ministria e Mbrojtjes, apo Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ende nuk kanë saktësuar se si do i blejnë këta avionë, ndërsa deri më tani kanë shpenzuar 7.2 milionë dollarë për të marrë me qira dy satelitë, për të monitoruar territorin e Shqipërisë. Fiksi hulumtoi tenderët e bashkive të tjera, të cilat janë me pikatore. Janë tenderuar dhe investuar shumë pak në stacionet e zjarrfikëseve, madje edhe bashkitë më problematike!
Bashkia e Hasit ka hapur një tender për të blerë 2 mjete zjarrfikëse 4 X 4, me një fond rreth 100 mijë euro. Tenderi ka dështuar disa herë. Mjetet ende s’kanë shkuar në stacion.
Në vitin 2024, Fiksi filmoi në stacionin e zjarrfikëseve në Shijak, ku autoboti që përdorej, rridhte ujë! Kjo bashki ka akorduar një shumë prej 100 mijë eurosh për blerjen e një automjeti zjarrfikës.
Ndërkohë, një nga bashkitë e prekura nga zjarret ishte Himara. Kjo bashki ka akorduar një shumë prej 41 milionë lekësh, për blerje automjete zjarrfikëse të kompletuar dhe 1 autobot. Bashkia ka hapur edhe tenderin me vlerë 16 mijë euro për uniforma.
Nëse disa bashki të tjera e kanë blerë dhe po bëjnë tendera për t’i blerë, Bashkia e Vlorës, që u prek disa herë nga zjarret në kodra, por edhe në fushën e mbetjeve, parashikon të blejë një zjarrfikëse të re. Fondi që ka akorduar është rreth 30 milionë lekë. Ende nuk janë bërë dokumentet.
Bashkia e Matit ka akorduar rreth 11 mijë euro për pajisje për stacionin e zjarrfikëseve. Nga ana tjetër, Saranda ka finalizuar në janar 2025 tenderin për blerje uniforma zjarrduruese, me një fond prej 40 mijë eurosh.
Lezha pa stacion zjarrfikëse, shpenzon 1.200 euro për pajisje!
Sipas dokumenteve që hulumtoi Fiks Fare, Bashkia e Librazhdit ka shpenzuar rreth 70 mijë euro për një kamion zjarrfikës. Por, vlerën më të paktë për zjarrfikëset e ka Bashkia e Lezhës, e cila nuk ka një stacion të mirëfilltë. Kjo bashki ka shpenzuar rreth 1.200 euro për pajisje mobilimi për stacionin.
Gjirokastra ka bërë një tender në muajin prill 2025 me vlerë 110 mijë euro për blerje mjeti zjarrfikës. Ende nuk është shpallur fituesi! Edhe Bashkia e Lushnjes, e cila ka një stacion të degraduar zjarrfikëse, ka hapur një tender për një mjet të ri, me vlerë 50 mijë euro.
Fiksi filmoi vitin e kaluar stacionin e degraduar të Belshit. Pa godinë dhe mjete. Kjo bashki ka hapur një tender në verën e vitit 2025 me vlerë 72 mijë euro për një mjet të ri, tender të cilën e anuloi pak javë më vonë, për shkak se s’kishte asnjë ofertë. Vijojnë të operojnë me një mjet të viteve ’60.
Tender ka hapur edhe Bashkia e Elbasanit, për mjet të ri zjarrfikës me një vlerë rreth 200 mijë euro. Bashkia e Durrësit ka akorduar 83 mijë euro për mjet të ri, pas problemeve me autoshkallën që sekuestroi SPAK-u. E njëjta bashki shpenzoi 15 mijë euro për goma.
Në kulmin e zjarreve, në muajin gusht 2025, Bashkia e Përmetit hapi një procedurë për blerje mjeti zjarrfikës, me vlerë rreth 100 mijë euro. Ende s’e ka finalizuar.
Një tender me vlerë rreth 1 milionë euro ka bërë edhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me objekt “Blerje zjarrfikëse dhe automjete shërbimi Pick Up për ARRSH”.
I njëjti operator ka shpenzuar rreth 350 mijë euro për tenderin me objekt “set zjarrfikëse, pajisje të ndryshme shpëtimi për stacionin zjarrfikës dhe automjetet e shërbimit”.