Situata paraqitet alarmante në zonën e Gurrës, mes fshatit Daias dhe Priskës së Madhe, në rrethinat e Tiranës, ku një kodër është përfshirë nga flakët.
Zjarri po përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa në pjesën e poshtme të kodrës ndodhen banesa dhe biznese, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zonën.
Ndërhyrja nga toka po vështirësohet për shkak të terrenit të thyer. Mjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen në pikën ku flakët vijojnë të avancojnë, duke e bërë situatën edhe më problematike.
Era po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa një re e dendur tymi ka mbuluar zonën.
Autoritetet dhe strukturat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur afrimin e tyre drejt banesave dhe bizneseve.
