Zjarri ka dalë jashtë kontrollit në pyjet e larta të Trodhnës, në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat. Disa banesa janë rrezikuar, ndërsa dy familje janë evakuuar nga policia dhe Bashkia Mat. Nga flakët janë rrezikuar edhe dy stane bagëtish, teksa një blegtor me afro 100 gjedhë nuk ka pranuar ta transferojë tufën nga zona e rrezikut.

Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja po koordinohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Situata mbetet problematike, ndërsa përparimi i zjarrit dhe afërsia me banesat kanë shtuar shqetësimin për banorët e zonës. Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e zjarrit drejt banesave.