Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme masivin pyjor në fshatin Lugaxhi, në Njësinë Administrative Labinot Mal, në Bashkinë Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të masivit pyjor, ndërsa situata është bërë shqetësuese për shkak se zjarri po avancon në drejtim të zonës së banuar.

Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në terren për izolimin e vatrave dhe për të frenuar përparimin e zjarrit. Terreni i vështirë dhe sipërfaqja e madhe e përfshirë nga flakët e bëjnë ndërhyrjen më të vështirë, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e zonës së banuar. Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar.