Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme zonën pranë fshatrave Seferan dhe Merhojë, në Bashkinë Belsh, duke shkaktuar shqetësim për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Zjarri është favorizuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke u përhapur në disa drejtime dhe duke përfshirë ullishte, shkurre, bimësi dhe sipërfaqe bujqësore.
Situata paraqitet problematike pasi flakët po avancojnë drejt sipërfaqeve të tjera me ullinj, ndërsa rrezikohen edhe disa banesa që ndodhen pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore janë angazhuar në terren dhe po punojnë për izolimin e vatrës, me fokus të veçantë në frenimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Ndërhyrja vijon, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të zjarrit.
