Zona turistike e Borshit po përballet me një situatë tejet problematike për shkak të një zjarri masiv që ka dalë jashtë kontrollit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar panik tek banorët dhe turistët, sidomos gjatë orëve të natës, kur zjarri iu afrua rrezikshëm aksit nacional Vlorë–Sarandë.

Ndërhyrja po kryhet nga toka dhe nga ajri, por terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e kanë komplikuar operacionin. Ndërkohë, edhe në fshatin Kaninë, një vatër e madhe zjarri ka shkaktuar shqetësim gjatë natës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së banorëve, situata atje është përmirësuar ndjeshëm.

Sipas parashikimeve, gjatë ditës së sotme pritet një rritje e ndjeshme e erës, çka e rrit rrezikun për përhapjen e flakëve dhe vështirëson ndërhyrjen nga ajri.