Prej gjashtë ditësh vijon të jetë aktiv zjarri i përmasave të mëdha në zonën pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve po has vështirësi për shkak të terrenit të vështirë malor, erërave të forta dhe temperaturave të larta.

Forcat zjarrfikëse të Bashkisë Librazhd, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Megjithatë, kushtet atmosferike kanë favorizuar avancimin e flakëve në një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje dhe bimësi të thatë.

Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrjen e plotë me mjete zjarrfikëse, ndaj ekipet janë detyruar të operojnë në këmbë në disa sektorë për të mbajtur nën kontroll situatën. Prioritet mbetet mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe shmangia e përhapjes së zjarrit në zona të tjera.

Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për banesat, pasi vatra ndodhet larg zonave të banuara. Situata vijon të monitorohet nga afër, ndërsa ekipet mbeten të angazhuara në terren.

Zona e përfshirë nga flakët përmban sasi të mëdha lënde drusore të thatë, e cila ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit. Ndërkohë, Qarku i Elbasanit ishte identifikuar më herët nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një nga zonat me rrezik të lartë për zjarre, për shkak të temperaturave ekstreme dhe valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin.