Qindra persona kanë parë pamjet dramatike të zjarrit në kompleksin “arlis”, ku u dogj pothuajse i gjithë pallati. Siç shihet edhe në pamje, njerëzit të shokuar dhe me lot në sy vështronin godinën e cila u “pushtua” nga flakët në fasadën e jashtme brenda pak minutash.

Në aksionin për shuarjen e flakëve kanë marrë pjesë 8 zjarrëfikëse, autoambulanca, 2 helikopterë Cougar dhe 50 persona, zjarrëfikës, ushtarë, forca të Policisë dhe RENEA-s. Nga informacionet e deritanishme, dyshohet se zjarri nisi nga katet e para në rrethana të paqarta, ndërsa u hap me shpejtësi deri në katin e 12-të.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikse arriti të evakuuojë në kohë banorët e pallatit, që kishin mbetur të bllokuar brenda. Përshkak se pallatit i mungonin shkallët e emergjencës, u deshën shkallët e zjarrfikëses për të nxjerrë të moshuarit.

Si pasojë e zjarrit mbetën të lënduar disa persona, mes tyre zjarrfikës, si dhe një punonjës policie, të cilët u dërguan në QSUT që ndodhet përballë pallatit ku ra zjarri. Nga pamjet, duken momentet trishtuese, teksa qytetarët vrapojnë për tu larguar sa më parë nga flakët.