Një zjarr i rënë në një apartament në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ka shkaktuar panik mes banorëve dhe ka lënë një person të asfiksuar nga tymi.

Sipas informacioneve, flakët kanë shpërthyer rreth orës 10:00 në një banesë të marrë me qira në rrugën “Prokop Mina”. Nga zjarri, dyshohet se është asfiksuar një fqinj që banonte një kat më sipër, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Raportohet se zjarri ka nisur brenda një prej dhomave të apartamentit.

Policia bën me dije se banesa ku ra zjarri ishte në përdorim nga dy shtetase, ndërsa dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për shuarjen e plotë të flakëve dhe sqarimin e rrethanave të incidentit. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.