Forcat zjarrfikëse të Elbasanit janë angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Lundrës, në Bashkinë e Tiranës, duke iu bashkuar strukturave të tjera të emergjencës që ndodhen në terren.

Bashkia Elbasan njofton se stacioni zjarrfikës i qytetit ndodhet në terren dhe po kontribuon në përballimin e situatës, e cila paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të banesave.

Zjarrfikësit janë pozicionuar kryesisht në mbrojtje të banesave dhe pronave, ndërsa vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e vatrës.

Temperaturat e larta, thatësira dhe era po favorizojnë përhapjen e flakëve, duke e bërë ndërhyrjen më të vështirë dhe duke kërkuar koordinim maksimal mes forcave të angazhuara.

Përmes një apeli, Bashkia Elbasan u ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve, veçanërisht në zonat me bimësi të thatë.

“Një pakujdesi e vogël mund të kthehet brenda pak minutash në një zjarr të madh”, paralajmëron bashkia, ndërsa kërkon që qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe hedhjen e bishtave të cigareve në zona të thata.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, në rast se konstatojnë një vatër zjarri, të njoftojnë menjëherë strukturat përkatëse, pasi reagimi i shpejtë mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së flakëve.

Bashkia Elbasan ka shprehur gjithashtu mirënjohje për zjarrfikësit që po punojnë në vijën e parë të rrezikut për mbrojtjen e banorëve dhe pronave.