Forcat zjarrfikëse të Elbasanit i janë bashkuar operacionit për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Lundrës, në Bashkinë e Tiranës, ku situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së flakëve pranë banesave.
Lajmi është bërë i ditur nga Bashkia Elbasan, e cila njofton se stacioni zjarrfikës ndodhet në terren, në mbështetje të forcave të tjera të angazhuara në përballimin e situatës.
Për shkak të afërsisë së flakëve me banesat, zjarrfikësit janë pozicionuar në mbrojtje të pronave, ndërsa vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrës.
Temperaturat e larta, thatësira dhe era po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë ndërhyrjen veçanërisht të vështirë. Strukturat në terren po punojnë në koordinim për të shmangur përshkallëzimin e situatës dhe rrezikimin e banorëve.
Bashkia Elbasan ka përcjellë edhe një apel për qytetarët, duke kërkuar kujdes maksimal gjatë këtyre ditëve.
“Një pakujdesi e vogël mund të kthehet brenda pak minutash në një zjarr të madh”, paralajmëron bashkia, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të mos hedhin bishta cigaresh në zona të thata apo me bimësi.
Qytetarëve u kërkohet gjithashtu të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse konstatojnë një vatër zjarri, pasi reagimi në minutat e para mund të jetë vendimtar për parandalimin e përhapjes së flakëve.
Në përfundim, Bashkia Elbasan ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit që po punojnë në vijën e parë të rrezikut për mbrojtjen e banorëve dhe pronave.
