Pas një nate të gjatë ankthi dhe frike, banorët e lagjes “Varosh” në Krujë janë rikthyer në banesat e tyre, pasi zjarri masiv që kërcënoi zonat e banuara është vënë nën kontroll.

Për orë të tëra, banorët qëndruan jashtë shtëpive, ndërsa flakët iu afruan banesave. Me përmirësimin e situatës, ata janë rikthyer për të parë nëse shtëpitë e tyre kishin pësuar dëme.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Aulon Kalaja, ai shfaqet në orët e para të mëngjesit duke kontrolluar banesën e tij, e cila ka shpëtuar nga flakët falë ndërhyrjes së zjarrfikësve.

“Tani shohim shtëpinë si është situata. Shtëpia qenka si ‘kokrra e mollës’. Kjo ishte shtëpia për të cilën u luftua. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit për të shuar flakët dhe e kanë shpëtuar shtëpinë. Në mal ka tym. Ndihet aroma e rëndë, ora është 05:40 e mëngjesi”, shprehet ai.

Banorët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, Policinë dhe të gjitha strukturat që punuan gjatë natës për të izoluar flakët dhe për të mbrojtur banesat.

Ndërkohë, pavarësisht qetësimit të situatës pranë zonave të banuara, vijon monitorimi i territorit të malit të Krujës, ku disa vatra mund të riaktivizohen për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të thata.