Vijon prej ditësh zjarri masiv në pyjet e Mallakastrës, ndërsa flakët janë përhapur edhe në territorin e bashkive Patos dhe Roskovec, ku forcat zjarrfikëse të tre bashkive janë angazhuar në terren për shuarjen e zjarrit.
Në krahun e Drenijes, flakët kanë avancuar edhe më tej, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit dhe ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve. Puna po vijon nga toka dhe nga ajri, me forcat zjarrfikëse që po përpiqen të izolojnë vatrat dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve. Ndërkohë, situata mbetet dinamike edhe në masivin e Lofkëndit, ku po operon avioni për shuarjen e flakëve, ndërsa era pritet të jetë një faktor vendimtar gjatë orëve në vijim.
