Policia e Fierit po heton dyshimet se zjarri në Mallakastër mund të jetë shkaktuar qëllimisht dhe për këtë arsye disa persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Zv.drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Taulant Gjoka, tha për mediat se në operacionin për shuarjen e flakëve në Mallakastër ka një angazhim të fortë institucional për të ndihmuar banorët e rrezikuar dhe neutralizuar flakët.
“Ky është një operacion kompleks. Jemi të angazhuar të gjithë për të siguruar një perimetër sigurie dhe ndihmuar banorët e rrezikuar. Kemi shoqëruar disa persona në komisariat me të cilët po kryhen veprimet hetimore për të grumbulluar të dhënat me interes për hetimin dhe sqaruar statusin e tyre lidhur me dyshimet e arsyeshme që mund të ketë për një zjarrvënie të qëllimshme. U bëj apel qytetarëve të Fierit të tregojnë kujdes me mjedisin, zjarret dhe bashkëpunimin me forcat e Policisë”-, tha Gjoka.
Kujtojmë se flakët janë përhapur duke rrezikuar banesat dhe tashmë 15 familje janë evakuuar.
