Një zjarr i madh përfshiu pasditen e djeshme një sipërfaqe me pisha ndërmjet fshatrave Malçan, Grazhdan dhe Zminec në bashkinë Finiq. Dyshohet se shkak i flakëve është bërë rënia e një pishe mbi telat e tensionit të lartë, duke shkaktuar përçim të zjarrit në pyll.

Forcat zjarrfikëse ndodhen prej orësh në terren, duke punuar intensivisht për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes drejt zonave të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, është kërkuar ndërhyrja nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Deri më tani nuk raportohet për banesa të dëmtuara, por autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm.