Një zjarr i madh përfshiu një sipërfaqe të gjerë në lagjen e Shimve, bashkia Rrogozhinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe duke rrezikuar banesat përreth. Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe, pas disa orësh, arritën ta vendosin flakët nën kontroll.
Nga hetimet e kryera, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të zjarrit, shtetasit Iljaz Rusta, 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Ky shtetas, sipas Policisë, kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në oborrin e një banese, por për shkak të erës së fortë flakët u përhapën me shpejtësi, duke djegur rreth 10 hektarë tokë me bimësi, qindra pemë ulliri dhe pemë frutore. Ngjarja vuri gjithashtu në rrezik serioz disa banesa përreth.
Rusta tashmë përballet me akuzën “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”.
