Zjarri që ka përfshirë zonën e Priskës vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve. Dendësia e madhe e pyllit dhe era po e vështirësojnë ndërhyrjen direkte, ndërsa në terren janë angazhuar disa grupe zjarrfikësish. Për gazetaren e Top Channel, Rudina Muça, një prej zjarrfikësve që ndodhet në terren ka shpjeguar situatën dhe vështirësitë me të cilat po përballen ekipet.
“Kemi ardhur sot në mëngjes, kemi zëvendësuar dy grupe të tjera që kanë qenë në gatishmëri dhe shërbim 24 orë. Jemi dy grupe të stacionit tonë, plus 5 stacione të Drejtorisë së Tiranës. Situata është e komplikuar, sepse dendësia e pyllit është e madhe dhe është e vështirë ta luftojmë në mënyrë direkte. Flakët po i favorizon edhe era, por po mundohemi ta mbajmë të izoluar”, shprehet zjarrfikësi.
Ekipet vijojnë punën në terren, ndërsa prioriteti është frenimi i përhapjes së flakëve dhe mbajtja e zjarrit të izoluar, veçanërisht në zonat ku terreni dhe dendësia e bimësisë e bëjnë të vështirë ndërhyrjen. Në operacion janë angazhuar disa stacione zjarrfikëse, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.
