Një zjarr i madh ka përfshirë qendrën shëndetësore në Sukth të Durrësit, duke shkaktuar shkrumbimin e të gjithë ambienteve të saj. Pavarësisht ndërhyrjes së mjeteve zjarrfikëse, flakët kanë qenë të fuqishme dhe kanë dëmtuar plotësisht godinën.
Fatmirësisht, në momentin e rënies së zjarrit qendra ka qenë e mbyllur, çka ka shmangur lëndimet në njerëz. Megjithatë, dëmet materiale raportohen të jenë të konsiderueshme.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertët e grupit hetimor, të cilët po analizojnë rrethanat dhe po punojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të zjarrit. Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në vijim.
