Një zjarr i rënë në një objekt privat (magazinë) pranë rrjetit 110 kV në Shkozet ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në qytetin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në orën 15:40 u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, si pasojë e zjarrit, duke lënë pa energji një pjesë të qytetit.
Ministri Enea Karakaçi tha se aktualisht, shërbimi zjarrfikës vijon punën për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa njëra prej linjave 110 kV mbahet e stakuar për arsye sigurie, me kërkesë të ekipeve zjarrfikëse.
Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në terren dhe do të ndërhyjnë për riparimin e defekteve dhe dëmeve në linjën 110 kV sapo të krijohen kushtet e nevojshme për një ndërhyrje të sigurt.
Ndërkohë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka marrë masa për të furnizuar një pjesë të zonave të prekura përmes linjave alternative. Si rezultat, energjia elektrike është rikthyer pjesërisht në Durrës, ndërsa puna vijon për normalizimin e plotë të situatës.
Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi përmes unazimeve nuk mund të zgjasë për një periudhë të gjatë, për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet. Rikthimi i plotë i furnizimit do të realizohet menjëherë pas shuarjes së zjarrit dhe përfundimit të ndërhyrjeve teknike në linjat 110 kV.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim për situatën e krijuar, duke garantuar se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në të gjitha zonat e prekura.
