Ilir BeqajNgjarja e rëndë e ndodhur sot në një spital privat, ku një paciente humbi jetën nga asfiksia, ka sjellë reagimin e drejtuesve të shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në një deklaratë për mediat tha se do të zhvillohet një hetim administrativ për ngjarjen.


“Ka një fatalitet, por do t’ia lëmë organeve të drejtësisë të hetojë shkaqet e kësaj ngjarje. Sigurisht që ne do të zhvillojmë një hetim administrativ. Dy pacientë ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin mjekimin përkatës. Të tjerët me dëmtime të lehta. Janë të dëmtuar edhe dy infermierë që kanë qenë duke kryer shërbimin ndaj pacientëve. Janë treguar shumë të zotë duke ndihmuar pacientët që të hiqnin pacientët për të dalë jashtë sallës”, tha Beqaj.


Drejtoresha e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Vjollca Braho deklaroi se gjendja e pacientëve është e mirë. Ajo bëri me dije se 26 persona do të merrnin sot shërbimin e hemodializës.


“Pasi pacienti ka marrë shërbimin e hemodializës, ai i është drejtuar dhomës së pacientëve të tjerë ku ka hedhur benzinë në drejtim të pacientit që ai donte t’i vinte zjarrin, por flakët kanë përfshirë edhe pacientët e tjerë”, u shpreh Braho.


25 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)