Sigurimi i banesave në Shqipëri mbetet ende një praktikë pak e përhapur, duke reflektuar një kulturë të dobët sigurimi mes qytetarëve.
Të dhënat e fundit tregojnë se nga mbi 1 milion banesa sipas censit të vitit 2023 vetëm rreth 6% janë të siguruara ndaj zjarrit dhe rreziqeve të tjera.
Për shumicën e familjeve sigurimi nuk konsiderohet domosdoshmëri, por një kosto e shmangshme deri në momentin kur përballen me pasoja reale nga fatkeqësi të papritura.
Zjarri në pallatin që përpiu mbi 70 banesa pranë spitaleve në kryeqytet vuri në dukje se shumë prej tyre ishin të pasiguruara ndërsa vetëm një numër i vogël ishin siguruar si detyrim i bankës nga blerja me kredi.
“Kultura e të siguruarit në Shqipëri është shumë e zbehtë. Shumë pak qytetar sigurojnë banesat e tyre dhe në shumicën e rasteve ndodh si një detyrim nga banka. Edhe në pallatin që u përpi nga flakët asnjë banesë nuk ishte e siguruar përveç banesave të marra me kredi. Ne me sigurimet jemi shumë mbrapa krahasuar dhe me rajonin apo Evropën teksa përqindja është shumë herë më e lartë”, deklaroi Venera Xhillari, eksperte e tregut të sigurimeve.
Sigurimi i një banese ka një kosto vjetore e cila në bazë të vlerës së pronës arrin mesatarisht në 150 euro-200 euro në vit ndërsa dhe lloji i sigurimit është i ndryshëm.
“Të sqarojmë se njerëzit keqkuptohen, sigurimi I një banese përfshin banesë si një pronësi por jo pajisjet brenda. Prandaj ka disa lloj sigurimesh. Në të tilla raste ka një tjetër sigurim për pajisjet shtëpiake një vlerë e cila nuk shkon shumë duke iu bashkëngjitur vlerës vjetore të sigurimit të banesës. Në këtë rast qytetarët përfitojnë një marrje përgjegjësie nga kompanitë e sigurimit të cilat do të zëvendësojnë pajisjet sipas vlerës që ishte përllogaritur më parë nga inspektorët në terren kur është bërë sigurimi dhe rikonstruktimit në rastin e dëmtimit të banesës”.
Artur Ribaj, ekspert bankar si dhe ish-drejtor i departamentit të mbikëqyrjes pranë AMF tregon se çfarë ndodh në rastin e djegies plotësisht apo pjesërisht të një banese të blerë me kredi dhe të siguruar.
“ Kur një banesë është blerë me kredi dhe digjet totalisht në këtë rast kompania e sigurimit mban përgjegjësi për të të mbuluar pasojat për aq sa është siguruar banesa. Kjo vlerë i kthehet pronarit i cili duhet të mbulojë edhe kolateralin bankës. Në rast se digjen pjesërisht materialet shtëpiake brenda banesës kompania zëvendëson nëpërmjet siguracionit jo në formën e cashit por pajisjeve shtëpiake. Ndaj duhet dhe sigurimi i shtëpive që në të tilla raste kompania të të përgjigjet me vlerën e përcaktuar dhe më parë.”
Ndërsa tregu i sigurimeve të banesave në Shqipëri nga zjarri apo shkaqe natyrore ndodhet larg vlerave të rajonit dhe Europës, qeveria ka ende fazë konsultimi publik projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga fatkeqësitë natyrore. E cila pritet të përfshijë vetëm tërmetet dhe pjesërisht përmbytjet.
Top Channel
