Situata paraqitet gjithnjë e më shqetësuese në masivin pyjor me pisha në zonën e Caushit, në Njësinë Administrative Gjinar të Bashkisë Elbasan, ku zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet me shpejtësi drejt Pashtreshit.

Mësohet se flakët kanë përfshirë deri tani të paktën 10 hektarë sipërfaqe pyjore, në një terren malor mbi 1400 metra lartësi. Tymi i dendur është përhapur në zonë dhe është dalluar edhe nga disa fshatra të Bashkisë Gramsh.

Zjarri dyshohet se është shkaktuar nga rrufeja gjatë mesjavës dhe fillimisht u shfaq në masivin me pisha të Caushit. Gjatë orëve të para të së dielës, flakët kanë kaluar në anën tjetër të malit, ndërsa prej mesnatës kanë përfshirë edhe një pjesë të pyjeve në Pashtresh.

Pamjet nga terreni tregojnë për një situatë të rënduar, me sipërfaqe të konsiderueshme të përfshira nga flakët dhe pemë të djegura. Vatrat aktive vijojnë të paraqesin rrezik për përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të masivit.

Ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së aksesit rrugor. Në disa zona automjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen, duke bërë që forcat e angazhuara të ndërhyjnë në këmbë dhe me mjete të përshtatura për terren malor.

Në operacion janë angazhuar dhjetëra forca, përfshirë efektivë të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Elbasan, punonjës të bashkisë, shërbimet publike rurale, banorë të zonës dhe forca të Ushtrisë.

Ekipet po punojnë për hapjen e brezave mbrojtës, izolimin e vatrave dhe frenimin e avancimit të flakëve drejt sipërfaqeve të tjera pyjore. Puna manuale mbetet një nga mënyrat kryesore të ndërhyrjes, pasi terreni i thepisur e bën të pamundur afrimin e mjeteve në disa pika.

Pavarësisht ndërhyrjes gjatë ditëve të fundit, zjarri nuk është arritur të izolohet plotësisht dhe është riaktivizuar në sipërfaqe të reja.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa nuk përjashtohet edhe ndërhyrja nga ajri, nëse përmasat e flakëve dhe kushtet në terren e bëjnë të nevojshme.

Forcat e angazhuara vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave, me fokus të veçantë në zonat ku ekziston rreziku i riaktivizimit për shkak të materialit të thatë pyjor.

Zjarri prej disa ditësh ka kthyer malet e Gjinarit në një vatër të rrezikshme, ndërsa ndërhyrja në terren mbetet e vështirë për shkak të lartësisë dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme.