Dy restorante tradicionale në qytetin e Librazhdit janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme. Objektet ndodhen pranë njëri-tjetrit, në breg të lumit Shkumbin.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar të dy restorantet.
Shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë menjëherë për të vënë situatën nën kontroll. Falë ndërhyrjes së tyre, është bërë e mundur shpëtimi i njërit prej objekteve, ndërsa vijon operacioni për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në restorantin tjetër.
Deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar për shkaqet e zjarrit, përmasat e dëmeve materiale apo për persona të lënduar. Pritet që në vijim të zbardhen më shumë detaje për ngjarjen.
