Një vatër zjarri është shfaqur ditën e sotme në malin e fshatit Voskopojë, në Korçë. Sipas informacioneve paraprake, vatra e zjarrit ka rënë në vendin e quajtur “Antenat”. Drejt vendngjarjes janë nisur dy mjete të MZSH-së, një automjet zjarrfikës dhe një mjet ‘pick-up’ me efektivët për ndërhyrje. Gjithashtu, janë mobilizuar forca nga Njësia Administrative Voskopojë, si dhe punonjës të Shërbimit Pyjor.

“Për shkak të terrenit të vështirë, automjeti zjarrfikës nuk mund të afrohet pranë vatrës së zjarrit. Një pjesë e efektivëve kanë nisur ndërhyrjen në terren, ndërsa pjesa tjetër është në lëvizje drejt vatrës. Pas vlerësimit të situatës nga drejtuesi i MZSH-së, do të koordinohen veprimet e mëtejshme për neutralizimin e plotë të zjarrit”, thanë autoritetet vendore.